Edhe pse kemi hyrë në javën e katërt të shtatorit, shkollat vazhdojnë të mbesin të mbyllura, shkruan Gazeta Blic.
Qeveria e Kosovës dhe SBASHK-u vazhdojnë të mos lëshojnë pe nga pozicionet e tyre.
Derisa SBASHK-u po kërkon nga 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit të ri të Pagave, nga Qeveria po deklarojnë se mjaftojnë 50 eurot e ndara ditë më parë.
Përplasja ndërmjet SBASHK-ut e ministres së Arsimit ka vazhduar edhe dje.
Madje, atyre nuk ju ka kryer punë as ndërmjetësimi i Avokatit të Popullit, raporton Gazeta Blic.
SBASHK-u përmes një njoftimi për media ka theksuar se greva vazhdon.
Njoftimi i plotë i SBASHK-ut:
Kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve vlerësojnë se shkresa e Avokatit të popullit nuk solli asgjë të re
SBASHK-u vazhdon takimet e rregullta konsultative me kryetarët e niveleve komunale sindikale dhe të universiteteve për ta analizuar situatën aktuale dhe për t’u konsultuar se si do të veprohet më tutje, bazuar në zërin sindikal të grevistëve. Ata, pasi kanë bërë një analizë të situatës aktuale, edhe njëherë kanë kritikuar qëndrimin e gabuar të Qeverisë karshi kërkesave të tyre dhe vlerësojnë se Qeveria sikur nuk do që greva të përfundojë, ngase nuk ka bërë e nuk po bën asnjë angazhim serioz për realizimin e kërkesave të grevistëve, respektivisht negocimin e tyre. Përveç kësaj, Qeveria vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve.
Kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve janë informuar nga anëtarë të Këshillit Grevist të BSPK-së për dy takimet me Avokatin e popullit, që janë mbajtur me iniciativën e tij ,dhe më pas kanë analizuar në detaje shkresën e arritur nga Avokati i popullit. Vlerësimi i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim konludoi në atë se kjo shkresë nuk solli asgjë të re dhe prandaj greva vazhdon. SBASHK nesër do të përgatis një shkresë duke i dhënë përgjigje shkresës dhe të njëjtën do ta adresojë te Avokati i popullit.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe ministrja Nagavci.
Ajo ka akuauzar SBASHK-un për bllokimin e hapjes së shkollave.
Reagimi i plotë i Nagavcit:
Me ftesë të Avokatit të Popullit, dje bashkë me zv.KM, Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati jemi takuar me Avokatin e Popullit.
Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor.
null
Ndërkohë, sot kemi pranuar një letër nga Avokati i Popullit, zt, Naim Qelaj të cilën e kemi shqyrtuar dhe menjëherë i kemi kthyer përgjigje duke adresuar propozimet e tij.
Si Qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHK-u dhe të vazhdojmë dialogun social e të fillojë mësimi. Por, përmes mediave kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qendrim se greva vazhdon.
Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit.
SBASHKU tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete. Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave.
Një deklaratë për media e ka dhënë edhe Avokati i Popullit.
Në vazhdim e gjeni deklaratën e plotë të tij:
Avokati i Popullit, me qëllim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, duke marr shkas nga situata e krijuar për shkak të grevës të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, thërret palët të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje për të dal nga kjo situatë.
Avokati i Popullit, ditëve të fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të Sindikatave dhe të Qeverisë në përpjekje për të ndihmuar në daljen nga kjo situatë. Përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e tij si ndërmjetësues, fatkeqësisht nuk është arritur një marrëveshje në mes palëve. Palët nuk kanë gjetur një konsensus duke mbajtur qëndrimin e njëjtë kur vjen në pyetje lartësia financiare e pakos mbështetëse.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, ka rikujtuar palët se çdo qëndrim apo veprim, në qendër të çdo prioriteti duhet ta ketë interesin më të mirë të fëmijës dhe të drejtën e fëmijëve për edukim dhe arsimim, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Parimi i interesit më të mirë për fëmijët duhet ta udhëheqë secilin prej nesh në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe të përgjegjësive që kemi.
Gjithashtu ai rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e së drejtës për arsimim dhe respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, siç janë të përcaktuara në Kushtetutë.
Në anën tjetër, Avokati i Popullit rithekson rëndësinë që ka respektimi i së drejtës për organizim sindikal dhe i së drejtës për veprime sindikale, mirëpo në situatën e krijuar, çdo orë e humbur e mësimit ka pasoja të pandreqshme për fëmijët dhe vazhdimi në mospjesëmarrje në mësim është i dëmshëm në shumë aspekte. Çdo orë mësimi për fëmijët është i rëndësishëm për përgatitjen e tyre për jetë dhe ngritjen e potencialit të tyre për një të ardhme më të mirë.
Në fund, për diskutimet dhe çështjet e ngritura në mes palëve, Avokati i Popullit iu ka dërguar palëve, që të japin përgjigje. Avokati Popullit, sot ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjet e prekura nga Avokati ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga sindikatat.
Avokati i Popullit me këtë komunikatë edhe publikisht u bën thirrje palëve të reflektojnë, të gjejnë një zgjidhje për të dal nga kjo situatë, ashtu që fëmijëve t’ju mundësohet gëzimi i së drejtës për arsimim.
Avokati i Popullit konstaton se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar, se fëmijëve po ju cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin.