Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Berlin, ku po merr pjesë në Forumin Botëror.
Mbrëmë u mbajt nata Gala e forumit, ku Osmani lexoi një “Laudatio” për presidentin Bill Clinton, shkruan IndeksOnline.
Presidentja e nisi fjalimin me një rrëfim të veçantë për vajzat e saj, me të cilat thotë se janë mirënjohëse për lirinë që gëzon Kosova.
Ajo e përshkroi Clintonin si një president të rrallë, që di të dallojë të mirën nga e keqja, dhe që populli shqiptar do t’i jetë përherë mirënjohës.
“Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Po të më kishte thënë ndokush atëherë që sot do të qëndroja këtu, në emër të popullit të lirë, të pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës, duke prezantuar këtë tribut për njeriun që është shpëtimtari ynë, do ta mendoja si një ëndërr të pamundur”, u shpreh Osmani.
Presidentja tutje falënderoi edhe ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, të cilën e konsideroi një krah të fortë të Kosovës, në rrugën e shtet ndërtimit dhe zhvillimit.