Një operacion i suksesshëm shpëtimi është realizuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) pas një thirrjeje për ndihmë të pranuar më 21 maj 2025, në orën 17:35.

Dy turiste belge, me inicialet N.S. dhe K.M., kanë kërkuar ndihmë emergjente ndërsa po e kalonin segmentin 3 të shtegut ndërkufitar High Scardus Trail, afër liqenit të Livadhit në Brezovicë.

Njëra prej turisteve kishte pësuar lëndime në këmbë pas një rrëzimi, duke bërë të pamundur vazhdimin e ecjes, veçanërisht për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Për shkak të mungesës së sinjalit telefonik në atë zonë, ndihma është kërkuar përmes butonit SOS të pajisjes Garmin inReach, që ka transmetuar koordinatat e vendndodhjes së tyre.

Skuadra e ShKShMK ka ndërmarrë menjëherë aksionin e kërkim-shpëtimit, duke mbërritur me shpejtësi në koordinatat e para. Megjithatë, pas mbërritjes, është vërejtur se turistet kishin ndryshuar vendndodhje duke u nisur drejt luginës së Gotovushës në përpjekje për të gjetur strehim nga stuhia, pavarësisht paralajmërimeve për të mos lëvizur.

Në një lartësi mbi 2400 metra mbi nivelin e detit dhe në kushte të rënda moti, operacioni ka vazhduar deri në lokalizimin e turistëve në koordinatën e dytë. Njëra prej tyre kishte lëndim në gjurin e majtë dhe të dyja vuanin nga hipotermi e lehtë.

Pas dhënies së ndihmës së parë, ka filluar evakuimi i tyre përmes shtigjeve alternative, për shkak të vështirësive të krijuara nga drejtimi i gabuar në të cilin ishin nisur. I gjithë operacioni ka zgjatur 10 orë e 30 minuta, dhe është përmbyllur me sukses.

Ky aksion është realizuar me bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit nga Komuna e Shtërpcës si dhe banorë vullnetarë nga Shtërpca.

ShKShMK ka shprehur mirënjohje për të gjithë të përfshirët në këtë mision për përkushtimin dhe shpirtin human që mundësuan shpëtimin e jetëve në kushte të jashtëzakonshme.

Related Posts