Inspektime, kontrolle e verifikime janë paralajmëruar për në pjesët e epërme të Parkut të Gërmisë. Invazioni i shkatërrimit është ngjitur deri në majat më të larta të Gërmisë. Duke i shpyllëzuar dhe sheshuar me buldozerë e makineri të rëndë, disa vatra të prekura nga ndërhyrjet po bëhen gati për t’u shitur si parcela. Ato tashmë po reklamohen për ndërtime shtëpish për banim, villash e objektesh të tjera për rekreacion. Nga Kolovica, në Butoc e tutje deri në Zllatar, peizazhi tashmë është çoroditur me shtëpi në varg – çmimet e shitjes së një ari tokë arrijnë nga 16 mijë deri në 22 mijë euro. Hapësira prej 1,126 hektarësh, që në ‘defterët’ e shtetit cilësohet si peizazh i mbrojtur, po mpaket me shpejtësi të pabesueshme.

Col Mehmeti

3 mars 2026 – Shteti më në fund e ka kthyer vëmendjen te dëmtimi i sipërfaqeve të tëra në Parkun Regjional i Gërmisë.

Prej nivelit qendror e deri te ai lokal janë paralajmëruar inspektime në terren dhe veprime ligjore në rast të shkeljes së kufijve zyrtarë të peizazhit të mbrojtur.

Duke zëruar shqetësimet e qytetarëve dhe dashamirëve të natyrës, NACIONALE ka kronikuar stërkeqjen e një hapësire prej afro një hektari në shpatijet e majës së dytë më të lartë të Gërmisë.

Nga vëzhgimet e bëra në terren janë vërejtur tri vatra natyrëshkatërruese.

Bëhet fjalë për një hapësirë që është sheshuar me buldozerë në kurriz të shpyllëzimit dhe tjetërsimit të fizionomisë së mjedisit.

Vendndodhja e këtyre ngastrave, që tashmë reklamohen për shitje nga agjencione të patundshmërive, është te pjesa e njohur si Antenat ku rruga e asfaltuar bigëzohet drejt fshatit Butoc dhe pjesës së brendshme të Parkut.

Drejtoria e Parqeve: “Do të ketë verifikime në terren”

Të martën, Drejtoria e Parqeve në Komunën e Prishtinës në një prononcim për gazetën ka premtuar se do të trajtohet me seriozitet të plotë çdo pretendim për ndërhyrje të paautorizuara brenda zonave të mbrojtura.

Parku i Gërmisë gëzon regjim të veçantë mbrojtjeje dhe çdo aktivitet ndërtimor në këtë hapësirë rregullohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe dokumentet përkatëse te Planifikimit hapsinor. Çdo dëmtim i masës drusore apo ndryshim i peizazhit pa leje përbën shkelje dhe trajtohet sipas procedurave ligjore”, kanë thënë nga Drejtoria e Parqeve.

Për rastet e ndërtimeve në hapësirën midis Parkut dhe Butocit, kjo Drejtori ka paralajmëruar se, në bashkëpunim me organet kompetente inspektuese, do të verifikojë situatën në terren dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore.

Në rast të konstatimit të shkeljeve eventuale, do të procedohet sipas dispozitave në fuqi. Nëse bëhet fjalë për prona që ndodhen jashtë kufirit të Peizazhit të Mbrojtur, ato i nënshtrohen kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga Drejtoria e Urbanizmit, në përputhje me planin zhvillimor urban dhe rregulloret përkatëse. Mbrojtja e Parkut të Gërmisë mbetet prioritet institucional dhe çdo ndërhyrje e palejuar do të trajtohet me përgjegjësi të plotë”, është thënë, mes të tjerash, në përgjigjjen e Drejtorisë së Parqeve.

Rrugë, asfalt e ‘turizëm’

Siç ka raportuar edhe vjet gazeta, statusi në letër si zonë e mbrojtur nuk duket se ka qenë dekurajim që makineritë e rënda të ngjiteshin në 1,020 metra lartësi mbidetare.

Mbi ekosistemet tashmë të tjetërsuara të pyjeve dhe kullosave, peizazhi i ri do të jetë me shtëpi, villa e objekte të tjera rekreacionale.

Sipari i ndërhyrjeve dhe tjetërsimit të peizazhit u hap qysh më 2015 kur nisi ndërtimi i rrugës Matiqan-Butoc-Kolovicë.

Megjithëse lehtësoi qarkullimin për banorët lokalë, rruga u bë ‘lift’ që degradimin e natyrës e ngjiti në pjesë që deri atëherë kishin qenë relativisht të paprekura.

Të dyja anët e rrugës 10-kilometërshe vazhdojnë të jenë vendzbrazje e vazhdueshme dhéu, mbeturinash e lëndësh inerte.

Lexo edhe: Fitoi sharra e bageri, Gërmia në prag të shkatërrimit

Pas kësaj, një protestë në qershorin e 2021-s nga disa banorë të Butocit i sprapsi autoritetet komunale.

Kështu, ndalesa e gjeratëhershme për ndërtime u hoq për hapësirën që në dokumente zyrtare llogaritej si ‘zonë e gjelbër e mbrojtur’.

Duke e shfrytëzuar dorëzimin e qeverisë lokale në rastin e Kolovicës dhe Zllatarit, edhe kjo trysni ia doli që Butocin ta hiqte nga perimetri i zonës së gjelbër dhe ta kalonte atë në ‘zonë turistike’.

Me ndikime të dukshme mjedisore dhe shkatërrimin e pjesëve të jashtme të Gërmisë ishte edhe ndërtimi i unazës 23-kilometërshe e cila e çoi asfaltin dhe degradimin në zemër të zonës së mbrojtur.

E gjitha kjo duke çrrënjosur masa të tëra pyjore e duke e rrezikuar bashkësitë e varfëruara të florës e faunës.

E quajtur si unazë e jashtme e kryeqytetit dhe e menduar nga planifikuesit si shkarkuese e trafikut të stërngarkuar në kryeqytet, projekti në vlerë prej 250-milionë eurosh fare pak i ka llogaritur pasojat mbi bashkësitë e florës dhe faunës.

Rekordi i zi, Kosova humb 1.5 hektarë pyje në ditë

Sipas të dhënave zyrtare, humbjet e masës pyjore në Kosovë janë lemeritëse ku brenda një viti asgjësohen 654 hektarë pyje.

E përkthyer ndryshe, kjo i bie që vendi çdo ditë mbetet me 1.5 hektarë më pak hapësirë pyjore.

Duke komentuar gjendjen në Parkun e Gërmisë, nga Agjencia Pyjore e Kosovës kanë thënë se Gërmia, si zonë e mbrojtur, nuk është nën administrimin apo mbikëqyrjen e tyre.

APK-ja nuk e ushtron funksionin e ruajtjes dhe mbrojtjes së pyjeve brenda këtij Parku, pasi që ai është Park i mbrojtur dhe me regjim të veçantë menaxhimi e administrimi”, kanë thënë në një përgjigjje për Nacionalen.

Nga ky Agjencion, i cili funksionon brenda Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), kanë saktësuar se menaxhimi i Parkut të Gërmisë bëhet nga ndërmarrja publike komunale ‘Gjelbër’ (ish-Hortikultura).

Ajo ka strukturat e veta të rojeve si dhe mekanizmat e kontrollit në terren.

Megjithë ngulmimin e gazetës, nga kjo ndërmarrje nuk kanë kthyer përgjigjje mbi rastet e shpyllëzimit dhe ndërtimeve në Gërmi.

Ditë më parë, edhe nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN) kanë thënë se është e nevojshme që të verifikohet nëse lokacionet e përmendura si ndërtime të mundshme në Gërmi ndodhen brenda kufijve zyrtarë të Peizazhit të Mbrojtur ‘Gërmia’ sipas dokumentacionit zyrtar.

Në rast se gjatë verifikimeve konfirmohet se ndërhyrjet ndodhen brenda kufijve të zonës së mbrojtur dhe nuk janë në përputhje me kornizën ligjore, sipas nenit 81, paragrafi 4, dhe kushteve për mbrojtjen e natyrës, çështja duhet të trajtohet nga organi menaxhues dhe organet kompetente të inspektoratit, të cilat kanë mandat për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse ligjore”, kishin thënë nga ky Institut që funksionon brenda Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Lexo edhe: Ekocidi i heshtur – Gërmia po vdes nga shpyllëzimi e ndërtimet

Gërmia nën ‘rrethimin’ e ndërtimeve

Një rregullore e brendshme për Parkun e Gërmisë, e miratuar nga Kuvendi Komunal më 2014, i njeh Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Ndërmarrjen ‘Hortikultura’ (tash Ndërmarrja ‘Gjelbër’ – v. j) si instanca që e udhëheqin Parkun e Gërmisë dhe që kanë tagrin për të shqiptuar masa e gjoba kundërvajtëse.

Prej vitit të kaluar, me dhënien e lejeve të para, sipërfaqe të tëra janë shpyllëzuar për t’i lënë vend ndërtimit të villave të reja.

Vatra natyrëshkatërruese janë hapur pothuajse në të gjitha anët e Gërmisë.

E tillë, fjala vjen, është edhe Lagjja e Gjelbër, një ‘koloni’ prej afro njëqind shtëpish që kanë zënë vend në ato që dikur ishin shpatije gjysmë të pyllëzuara të Gërmisë.

‘Invazioni’ i ndërtimeve tashmë i është afruar edhe lugut të Suteskës që lëshohet nga Butoci në drejtim të fshatit Mramor.

Buldozerë e makineri të rënda kanë lënë gjurmë shkatërruese edhe në bregun e majës së Butocit (1095 metra lartësi), duke hapur edhe rrugë të reja drejt fshatit Zllatar dhe rrugës së asfaltuar tash së voni.

Pjesa e fundme e Gërmisë, që përbëhet nga një varg sukash mbi Zllatar e Matiqan, paraqet pjesën më të përdhunuar të parkut.

Prej vitesh, aty funksionon një deponi tek e cila zbrazen dhérat e lëndët inerte nga ndërtimet që bëhen kudo në Prishtinë.

Masivi malor i Gërmisë në gjithsejtin e tij ka 62 kilometra katrorë.

Një ‘enciklopedi’ për Gërminë

Si pjesa më e skajme e malësisë së Gallapit, ‘kufijtë’ e Gërmisë në perëndim nisin nga Kodrina e Vneshtave, kurse në lindje ata ravijëzohen prej shpatijeve të Matiqanit dhe xehrores së Hajvalisë dhe burimit të lumit Graçanica.

Megjithë degradimin nga faktori njeri, kjo hapësirë e shënjuar si ‘park’ shquhet për prani relativisht të pasur në florë, vegjetacion e faunë.

Sipas studimeve, në Gërmi janë identifikuar 600 lloje të florës vaskulare, pesë prej të cilave konsiderohen si endemike.

Lexo edhe: Gërmia — ose rrëfimi për parajsën e humbur

Po kështu, në këtë hapësirë është identifikuar prania e 5 lloj ujëtokësorësh, 7 lloje rrëshqanorësh, 19 lloje gjitarësh e 30 lloje shpezësh.

Thela më e madhe e sipërfaqes, mbi 75 për qind e saj, përbëhet nga bashkësi drusore të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut.

Në gjithsejtin e saj, hapësira pyjore përfshin 884 hektarë, ajo e kullosave 204 hektarë, kurse zona e ndërtimeve dhe rrugëve 19 hektarë.

Nga viti 1966, një pjesë e masivit malor të Gërmisë është shpallur si ‘Pyje për piknik’, por vetëm më 1987 ishte vendosur që kjo pjesë të vihej nën mbrojtje në kategorinë e parkut rajonal të natyrës. /Nacionale/

Related Posts