Granit Xhaka dhe Sunderlandi kanë arritur kuotën e 40 pikëve në Ligën Premier, duke siguruar praktikisht mbijetesën pas rikthimit në elitën e futbollit anglez.
Por mesfushori Xhaka nuk mjaftohet me kaq – tani ai dhe skuadra po synojnë më shumë.
Pas një mungese tetëvjeçare, përfshirë edhe një periudhë në League One, Sunderland u rikthye në Ligën Premier verën e kaluar.
Parashikime pesimiste, por Sunderland ia doli
Parashikimet ishin pesimiste, me shumë ekspertë që e shihnin klubin si kandidat për rënie të menjëhershme. Megjithatë, “Macet e Zeza” kanë befasuar.
Pas fitores 1-0 ndaj Leeds United, skuadra renditet në vendin e 11-të dhe ka prekur shifrën simbolike prej 40 pikësh – një total që zakonisht garanton mbijetesën.
Në dy sezonet e fundit, 26 dhe 27 pikë kanë mjaftuar për të qëndruar në elitë, por këtë edicion gara për mbijetesë është më e fortë.
West Ham, që aktualisht ndodhet në zonën e rënies, ka 25 pikë dhe edhe dhjetë ndeshje për t’u luajtur. Rekordi për rënien më “të shtrenjtë” në epokën me 20 skuadra mbahet nga West Ham, që ra nga kategoria me 42 pikë në sezonin 2002/2003.
Roli vendimtar i Xhakës
Xhaka ka qenë një nga figurat kyçe në këtë sezon mbresëlënës. Përvoja, lidershipi dhe qetësia e tij në mesfushë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e ekipit. Sipas mediave britanike, ai konsiderohet si një nga lojtarët më me ndikim te Sunderlandi këtë sezon.
Në ndeshjen ndaj Leeds, Xhaka u aktivizua nga stoli për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës që kishte pësuar në janar. Deri në momentin e futjes së tij, Leeds ishte skuadra më dominuese, por prania e tij në fushë solli stabilitet dhe kontroll në lojë.
“Folëm në fillim të sezonit se objektivi ynë ishte 40 pikë. I arritëm dhe tani duam më shumë, sepse uria është e madhe”, deklaroi Xhaka për TNT Sports.
Sunderland tashmë sheh drejt zonës evropiane, e cila është vetëm katër pikë larg. Megjithatë, mesfushori thekson nevojën për të qëndruar me këmbë në tokë: “Ne e dimë nga kemi ardhur”.
Ëndrra evropiane pas më shumë se 50 vitesh
Sunderland nuk ka luajtur në një garë evropian që nga sezoni 1973/74, kur u eliminua në Kupën e Fituesve të Kupave nga Sporting Lisbona. Klubi anglez nuk ka arritur kurrë të lërë gjurmë të mëdha në arenën evropiane.
Tani, me Xhakën si lider, tifozët po ëndërrojnë rikthimin në skenën ndërkombëtare – një sukses që do të kurorëzonte një nga sezonet më të bukura në historinë e fundit të klubit.

























