Studimi i ri i Univeristetit të Utahs, ka treguar se ndryshimi i mënyrës së ecjes mund të lehtësojë dhimbjet e artrozës në gju, dhe efektet mund të jenë të ngjashme me ato të ilaçeve kundër dhimbjes që merren pa recetë, ka raportuar The Washington Post.

Pjesëmarrësit në studim, të rritur me artrozë të lehtë deri të moderuar u trajnuan të ecnin duke kthyer paksa majat e këmbëve nga brenda ose nga jashtë, për të shpërndarë ndryshe ngarkesën mbi gjurin. Rezultati? Dhimbjet kronike u lehtësuan.

“Mendoj se ky studim sjell shumë shpresë për njerëzit me artrozë të gjurit. Po vijnë trajtime të reja që mund të përmirësojnë dhimbjen e tyre”, ka thënë Scott Uhlrich, autori kryesor i studimit dhe drejtor i Movement Bioengineering Laboratory në Universitetin e Utahs.

Rreth 33 milionë amerikanë vuajnë nga artroza, e cila shkaktohet nga dëmtimi i kërcit të kyçit që ndodh si pasojë e fërkimit në mes të eshtrave. Kërcet nuk rigjenerohen, prandaj shpesh pacientët kuptojnë dëmtimin vetëm kur është vonë.

Sipas Uhlrich, ndryshimi i ecjes mund të shpërndajë forcat te pjesë më të shëndetshme të kërcit, duke ulur dhimbjen.

“Nuk po ulim forcën që kalon në gju, por po e zhvendosim nga pjesa e brendshme te kërcet më të shëndetshme në pjesën e jashtme”, ka thënë ai.

Megjithatë, doktori ka paralajmëruar se njerëzit nuk duhet ta provojnë vetë.

“Nuk ka një mënyrë që i bën mirë të gjithëve. Disa mund të përfitojnë duke kthyer gishtat nga brenda, të tjerë nga jashtë. Nëse e bën gabim, mund ta përkeqësosh dhimbjen”, ka thënë Uhlrich.

Rezultatet pas një viti

Studimi, i cili zgjati gati tre vjet, përfshiu 68 persona. Pjesëmarrësit që u trajnuan me ushtrime ose terapi të dizajnuara posaçërisht për stilin e ecjes së secilit individ, raportuan më pak dhimbje pas një viti, ndërsa skanimet MRI treguan edhe ngadalësim të dëmtimit të kërcit.

Related Posts