Me afrimin e dimrit, shumë njerëz kërkojnë mënyra të thjeshta dhe ekonomike për të tharë rrobat brenda hapësirave të mbyllura, pa rritur ndjeshëm shpenzimet e energjisë elektrike dhe ujit
Michelle Feng, menaxhere e marketingut të produkteve në Hisense UK, ndau për The Sun disa truke dhe këshilla të dobishme për tharjen e rrobave gjatë ditëve të ftohta, për të kursyer para dhe për të ruajtur aromën e freskët të rrobave.
Michelle shpjegoi se kostoja e përdorimit të një tharëseje varet nga lloji i saj.
“Tharësja me pompë nxehtësie është zakonisht më ekonomike për përdorim, ndërsa tharëset me kondensim ose me ventilim janë më të shtrenjta. Kostoja e funksionimit gjithashtu varet nga efikasiteti energjetik i modelit specifik dhe nga çmimet lokale të energjisë elektrike”, shpjegoi ajo.
1. Truku me peshqir
Michelle tha se ekziston një mënyrë shumë e thjeshtë për të shkurtuar kohën e tharjes dhe për ta bërë përdorimin e tharëses më ekonomik. Lajmi i mirë është se ky truk është plotësisht falas, sepse gjithçka që ju duhet ndodhet tashmë në shtëpi.
“Nëse vendosni një peshqir të pastër në tharëse, ai do të ndihmojë në thithjen e lagështisë së tepërt nga rrobat e njoma dhe do të përmirësojë qarkullimin e ajrit brenda tamburit. Kjo gjithashtu ndihmon në uljen e kohës së funksionimit të pajisjes”, shpjegoi ekspertja.
2. Programi pak i njohur i rrobalarëses
Michelle përmendi se një program pak i njohur i lavatriçes mund të ndihmojë në shkurtimin e kohës së tharjes së rrobave të lagështa gjatë dimrit.
“Përdorimi i ciklit të centrifugës në rrobalarëse përpara tharjes mund të ndihmojë në heqjen e lagështisë së tepërt, gjë që redukon kohën që tharësja duhet të funksionojë”, këshilloi ajo.
3. Topthat për tharjen e rrobave
Michelle rekomandoi përdorimin e topthave për tharje, të cilët mund të blihen për vetëm një euro për copë në disa dyqane.
“Topthat për tharje ndihmojnë në ndarjen e rrobave, çka përmirëson qarkullimin e ajrit dhe përshpejton procesin e tharjes brenda tamburit. Ato gjithashtu ndihmojnë në zvogëlimin e rrudhave dhe zbutjen natyrale të pëlhurave për një rezultat më të mirë”, shpjegoi Michelle, përcjell Telegrafi.
Kur është koha më e mirë për të përdorur tharësen e rrobave?
Rekomandohet që personat që kanë matës të energjisë elektrike me dy tarifa ta përdorin tharësen gjatë periudhave të tarifës së ulët (natës). Kjo do të ndihmojë në uljen e kostove të energjisë elektrike që nevojiten për funksionimin e pajisjes në çdo cikël.
“Mbushja e tamburit rreth tre të katërtat e kapacitetit të tij siguron lëvizje të lirë të rrobave dhe në të njëjtën kohë optimizon hapësirën dhe konsumin e energjisë”, shtoi ajo.
Ekzistojnë gjithashtu disa detyra të vogla mirëmbajtjeje që ndikojnë në efikasitetin afatgjatë të tharëses:
- Zbrazja e filtrit të pluhurit,
- Pastrimi i shkëmbyesit të nxehtësisë,
- Sigurimi që pajisja të ketë hapësirë të mjaftueshme për ventilim.Për kursim afatgjatë, investimi në një tharëse të re dhe energjikisht efikase është shumë më i leverdishëm.
Në cilën temperaturë duhet vendosur tharësja e rrobave?
Michelle theksoi se zgjedhja e temperaturës së duhur për materialet që po thahen mund të ndihmojë në uljen e konsumit të energjisë dhe kursimin e parave.
“Disa tharëse ofrojnë programe për temperatura të ulëta, mesatare dhe të larta për të mbrojtur pëlhurat dhe për të kursyer energji. Nuk ekziston një temperaturë universale për tharjen e rrobave, pasi kjo varet nga materialet që ndodhen në tambur.