Greva njëditore është zgjedhur kësaj here nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës si opsion për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.
Kjo sindikatë ka thënë se një vendim i tillë është marr pasi kanë vërejtur indiferencë institucionale karshi kërkesave të komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor.
“Duke e vërejtur realitetin e rritjes së kostos së shpenzimeve jetësore, koston e shportës familjare dhe duke u bazuar në pamundësinë e komuniteteve tona që ta përballojnë mbulimin e kësaj kosto si pasojë e pagës tejet të ulët, pagesës ofenduese të punës së ndërrimeve të natës për komunitetet tona, pas konsultimeve me Këshillin Drejtues të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës dhe Këshillin për Protesta dhe Greva, njoftojmë komunitetet respektive që Sindikata e Infermierëve të Kosovës do zhvilloj aktivitetin sindikal të radhës GREVË NJËDITORE”, është thënë në njoftim.
Kërkesat e kësaj sindikate janë që:
1. Koeficienti i pagave 7.1 për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor, bazuar në tabelaren e koeficienteve e cila u publikua së fundi, respektivisht 70% e pagës së mjekut, ashtu siç ishte dhe është deri më sot,
2. Rritja e menjëhershme e pagesës së ndërrimeve të natës nga 18€ në 36€,
3. Të paguhet menjëherë puna shtesë, respektivisht orët shtesë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor,
4. Të paguhet menjëherë rrezikshmëria në punë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor,
5. Të paguhet menjëherë puna gjatë vikendeve për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, ashtu siç u paguhet mjekëve
Këto kërkesa, Sindikata ia ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bordit të SHSKUK-së.
Në njoftim është thënë se institucionet e lartcekura kanë afat prej 72 orëve që t’i përgjigjen kërkesave të komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor.
Tutje është thënë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do të vazhdohet me veprime të tjera sindikale.
Po ashtu, është njoftuar se pas afatit prej 72 orëve nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, kjo Sindikata e Infermierëve të Kosovës do të njoftojë edhe për ditën dhe datën e zhvillimit të aktivitetit.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës në rast se eventualisht nuk do ketë reflektim karshi kërkesave tona dhe do të detyrohemi të ndërmarrim masa dhe veprime sindikale, në këtë rast grevë, mirëpo një mirëqenie më e mirë sociale dhe ekonomike do të thotë edhe rritje e përgjegjësisë dhe cilësisë së shërbimeve, nga çka do përfitonim të gjithë”, është thënë në fund të njoftimit.