Vendimi që përjashton gjykimin në mungesë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 41 të akuzuarave tjerë në arrati në rastin Banjska, kufizon procesin e llogaridhënies për sulmin terrorist vetëm tek tre të arrestuarit.

Për vendosjen eventuale të masave ndaj Radoiçiqit dhe të tjerëve ose ndaj Serbisë, Bashkimi Evropian fillimisht kishte kërkuar raportin nga hetimi i plotë, pastaj aktakuzën, e më vonë verdiktin e gjykatës.

Por, në rrethanat aktuale, ku përkundër flet-rreshtimeve ndërkombëtare, Serbia refuzon të arrestojë dhe ekstradojë në Kosovë, Radoiçiqin dhe të tjerët, një vendim gjithëpërfshirës përfundimtar nga Gjykata në Prishtinë duket i pamundur.

Duke shmangur pjesën e ekstradimit, gjykimit në Kosovë dhe masave eventuale, BE-ja pati një thirrje për Serbinë teksa përmendi një proces atje.

“Në rastin Banjska presim që Serbia, në pajtim me zotimet e përsëritura ndaj BE-së, të ndërmarrë urgjentisht të gjithë hapat e nevojshëm për të ndjekur dhe sjellë para një gjykate autorët e dyshuar të veprave penale serioze të cilët gjenden në Serbi dhe të sigurojë bashkëpunim në hetimin e këtyre sulmeve”, thuhet nga BE-ja.

Pa hollësi ishte edhe pjesa tjetër e përgjigjes, për fletarrestin  e lëshuar kundër Radojçiqit dhe 19 të tjerëve, në një rast të ndarë ku dyshohen për krime lufte në rajonin e Gjakovës.

“Dhënia llogari për krimet e luftës dhe gjykimi i krimeve të luftës nga një gjyqësor i pavarur janë hapa thelbësor drejt pajtimit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe në rrugën për në Bashkimin Evropian. Ne e marrim parasysh këtë vendim dhe përmbahemi nga komentet e mëtejme në vendime gjyqësore”.

Në Ministrinë e Drejtësisë nuk komentuan qëndrimin e BE-së për proces gjyqësor në Serbi, e as nuk treguan nëse ka risi lidhur me kërkesën për ekstradim.

Pasi vënien e drejtësisë në këtë rast e vlerësoi sfiduese për shkak të qëndrimit të Serbisë dhe dyshimeve për përfshirjen e këtij shteti në sulmin terrorist, juristi Ardian Bajraktari tha se qasja e BE-së është “tentativë për të qenë e balancuar”.

“Është e papranueshme, për faktin se bazuar në mungesën e vullnetit dhe gatishmërisë së palës serbe për bashkëpunim, vlerësoj që vetëm një presion, një trysni e vazhdueshme e Bashkimit Evropian dhe shteteve tjera aleate të Kosovës, do të mund të rezultojë me vënien para përgjegjësisë, përkatësisht sjelljen e tyre në Kosovë për t’u ballafaquar me akuzuar që rëndojnë mbi Radoiçiqin dhe të tjerët”, ka theksuar Ardian Bajraktari, avokat.

Pak ditë pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, Milan Radoiçiq, atëkohë nënkryetar i Listës Serbe, kishte pranuar publikisht se ka organizuar dhe udhëhequr atë.

Derisa nuk ka asnjë masë nga BE-ja, ai dhe të akuzuarit tjerë mbesin të mbrojtur në Serbi.

Related Posts