SHSKUK po përballet me kritika serioze për trajtim të pabarabartë në pezullimin e mjekëve me aktakuzë. Ndërsa në QKUK Dr. Edmond Haliti dhe Dr. Lulzim Kamberi u larguan nga pozitat e tyre menaxheriale në Klinikën e Kardiologjisë pas ngritjes së aktakuzave, Dr. Sokol Krasniqi vazhdon të mbajë pozitën e shefit të Ortodoncisë në QKSUK, pavarësisht aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore që nga prilli 2024.
Ky trajtim selektiv ngre shqetësime serioze mbi integritetin institucional të SHSKUK-së dhe konsistencën në zbatimin e ligjit. Sipas nenit 69 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, çdo zyrtar civil ndaj të cilit është iniciuar procedurë penale për veprime të kryera gjatë ushtrimit të detyrës duhet të pezullohet.
Megjithatë, ky dispozitiv ligjor është zbatuar pjesërisht vetëm në QKUK, ku disa zyrtarë janë larguar nga pozitat menaxheriale, ndërsa në QKSUK, Dr. Sokol Krasniqi vazhdon të mbajë postin e tij, pavarësisht aktakuzës ndaj tij dhe interpretimit ligjor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila e përcakton pezullimin si detyrim në raste të tilla.
Për të qartësuar këtë mospërputhje, dy herë i kemi dërguar pyetje kryetarit të bordit të SHSKUK-së, drejtorit të SHSKUK-së dhe Ministrit të Shëndetësisë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare.
Rasti i Dr. Sokol Krasniqit thekson dështimin e bordit të SHSKUK-së, drejtorit të SHSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të ushtruar autoritetin e tyre mbi QKSUK, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi atë se kush në të vërtetë merr vendimet për ligjshmërinë dhe qeverisjen brenda këtij institucioni publik.