Futbollisti i njohur i Kosovës, Arbër Zeneli, ka folur hapur për marrëdhëniet e tensionuara me Federatën e Futbollit të Kosovës, duke konfirmuar se ekzistojnë disa çështje të pazgjidhura që kanë ndikuar në mungesën e tij te Kombëtarja në vitet e fundit.
Në një intervistë për mediat suedeze, Zeneli theksoi se dëshira për të veshur fanellën e Kosovës nuk është shuar asnjëherë, por problemet me institucionin e futbollit kosovar kanë krijuar një distancim të pavullnetshëm.
“Synimi për të luajtur për Kosovën gjithmonë ekziston. Por mes meje dhe Federatës së Futbollit të Kosovës ka disa çështje të pazgjidhura. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat”, deklaroi sulmuesi.
Zeneli kujtoi një episod të ndodhur rreth dy vite më parë, të cilin nuk dëshiron ta komentojë publikisht, por që sipas tij mbetet shkaku kryesor i mosmarrëveshjes:
“Ka ndodhur një situatë rreth dy vite më parë. Nuk dua të hyj në detaje në media, sepse ende nuk është sqaruar se kush kishte të drejtë dhe kush jo”, tha ai.
I pyetur nëse mosftesa nga Kosova ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve apo sepse ai vetë nuk ka dashur të paraqitet, Zeneli u përgjigj se e vërteta qëndron “pak nga të dyja”:
“Dua të diskutoj situatën me personat e përfshirë. Mund të ketë qenë një keqkuptim. Nuk pajtohem me atë që është thënë”, u shpreh futbollisti.
Megjithatë, pavarësisht polemikave dhe distancimit, Zeneli la të hapur derën për një rikthim në fanellën e Kosovës, duke theksuar se kjo është gjithmonë Kombëtarja e tij:
“Absolutisht. Kosova është kombëtarja ime, ishte zgjedhja ime kur isha 20-21 vjeç, sepse ata kishin një vizion. Shpresoj që të qëndrojnë besnikë ndaj atij vizioni”, deklaroi ai.
Arbër Zeneli, i cili ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Kosovës në vitet e para pas pranimit në FIFA dhe UEFA, mbetet një nga figurat më të dashura për tifozët. Tash, mbetet të shihet nëse do të arrihet një pajtim mes tij dhe FFK-së që do ta rikthente edhe një herë në përfaqësuese.