Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në vazhdimësi ka gjetur probleme në funksionimin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Përveç të gjeturave, Auditori nder vite ka dhënë edhe rekomandime se si këto të gjetura të evitohen.
Në raportimin e vitit 2017 të Auditorit të Përgjithshëm, faqe 16, është e gjetura që ka të bëjë me ushtrues detyre.
“Ligji për Shërbimin Civil nr.03-L-149, përcakton se një pozitë nuk mund të mbahet nga ushtruesi i detyrës për më shumë se tre (3) muaj. Ne identifikuam dy raste ku pozitat mbaheshin më gjatë se afati ligjor. Rasti i parë ka të bëjë me pozitën e Drejtorit të Shërbimit për Çështje të Studentëve në Administratën Qendrore, që mbahet me ushtrues detyre nga data 08.04.2013. Në këtë pozitë me vendim është caktuar zyrtari për çështje të studentëve në Administratë Qendrore, për një periudhë tre mujore, deri në përfundim të procesit të përzgjedhjes së drejtorit përmes konkursit publik. Ndërsa rasti tjetër ka të bëjë me pozitën e Drejtorit të Zyrës për Shkencë, Zhvillim Akademik dhe Cilësi, që mbahet me ushtrues detyre nga data 25.03.2015”, thuhet në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2017.
Në këtë Raport tutje thuhet se “Mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë, rrit rrezikun e mos arritjes se objektivave dhe se performanca/përgjegjësia e realizuar në këto pozita të mos jetë në nivelin e duhur”.
Në rekomandimin që jep Auditori thuhet se “Rektori i UP-së duhet të marrë masa të menjëhershëm që për pozitat të cilat mbulohen me ushtrues detyre bëhet një zgjidhje e qëndrueshme me pozita të rregullta në pajtim me kërkesat ligjore”.
Ballkani.info ka dërguar pyetje të premten në adresë të UP-së, respektivisht në adresë të Naser Sahitit, rektor i UP-së, sekretarit Esat Kelmendi, kryetares së Bordit të UP-së, Arbëresha Nela Turjaka dhe anëtarit Altin Sahiti. Mirëpo, asnjë përgjigje nuk është kthyer për të sqaruar se çfarë ka ndodhur me këto pozita, të cilat mbaheshin joligjërisht për një kohë të gjatë.
Përgjegjës për pjesën e administratës në UP është sekretari, në këtë rast Esat Kelmendi.
Për Kelmendin Auditori kishte vërejtje edhe në raportin e vitit 2020 në auditimin e paqyrave financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës.
“Në testimet tona, kemi vërejtuar se kompensimi i SP (sekretarit të përgjithshëm) të Universitetit është përfshirë në dy rregullore, duke përfshirë pagën bazë të Rregullores Nr. 3/525 për pagat për personelin e administratës, neni 4, në vlerë 1,429 euro ndërsa kompensimi funksional në vlerë 250 euro është i caktuar në nenin 9 të Rregullores Nr. 2/486 për të ardhurat personale të personelit akademik. Rrjedhimisht, pozita e sekretarit të përgjithshëm nuk klasifikohet në kategorinë e personelit akademik, përkatësisht kjo pozitë ka rolin e udhëheqësit më të lartë administrative, dhe si e tillë nuk do të duhej të ishte e përfshirë në rregulloren për personelin akademik”, thuhej në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
“Kjo kishte ndodhur për shkak së Këshilli Drejtues gjatë hartimit në rregulloren përkatëse, nuk kishte marrë parasysh klasifikimin e pozitave në Statutin e UP”, thekson tutje Auditori.
Probleme e telashe në UP kishte përmendur edhe ish anëtarja e Këshillit Drejtues të UP, Laura Kryeziu.
Ajo në letrën e saj e kishte përmendur specifikisht sekretarin Esat Kelmendi.
Kryeziu-Selimi i se sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi nuk i përmbush detyrat dhe përgjegjësit e tij sipas ligjit dhe statuteve.
Edhe në raportet tjera për UP-në në vitet në vazhdim ka të gjetura tjera, siç është rasti me kompensim në kundërshtim me ligjin, etj.
Rilindja Shqiptare edhe në vazhdim do të publikoj të gjetura nga Raportet e Auditorit.