Nata e Kadrit është nata në të cilën pejgamberit Muhamed, ndërmjet melekut Xhebrail, i kanë zbritur ajetet e para të Kuranit, sipas fesë islame.
Myslimanët besojnë se në këtë natë, Zoti i bekon të gjithë, i falë mëkatet, i pranon të gjitha lutjet, dhe se engjëjt zbresin në Tokë. Myslimanët besojnë që Kurani iu zbrit këtë natë Muhammedit. Zbritja filloi në shpellën Hira në Mekë. Sureja që u zbrit e para ishte sureja Alak. Në Kuran nuk përmendet ndonjë datë specifike, por thuhet se Nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit.
Agjërimi në këtë ditë konsiderohet i vlefshëm sa njëmijë muaj.
Kjo natë kaq e madhe thuhet se i ka shenjat e saj. Ndër këto shenja është se dielli që pason natën e Kadrit, lind pa rreze, ose është i kuq dhe me ndriçim të zbehtë. Një shenjë tjetër që thuhet është dhe shiu i lehtë që mund të bjerë, erë e lehtë dhe se ajo natë, është as e nxehtë dhe as e ftohtë.
Të gjitha këto shenja, nuk janë të prera dhe nuk arrijnë në gradën e sigurisë së plotë. Ato mund të gjenden ose jo, sipas vendit dhe stinës.






















