Kolegji Zgjedhor do të mblidhet ditën e sotme për të votuar zyrtarisht Joe Biden si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Secili prej anëtarëve do të ketë të drejtën e një vote.
Biden ka planifikuar t’i drejtohet kombit të hënën në mbrëmje, pasi anëtarët e Kolegjit të kenë votuar.
Votat këtë vit kanë tërhequr më tepër vëmendjen pasi presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë zgjedhjet dhe ka vazhduar të ngrejë akuza kundrejt Bidenit.
“Unë shqetësohem nëse vendi do të ketë një president të paligjshëm, kjo është ajo për të cilën shqetësohem, ” tha Trump në një intervistë për Fox News, transmeton Shqiptarja.
Pas disa javësh sfida ligjore, Trump nuk arriti të bindte gjykatësit në katër shtete, të cilat mund ta kishin vënë në dyshim rezultatin. Gjykatësit refuzuan përpjekjen e Trump të premten.
Biden fitoi 306 vota elektorale kundrejt 232 vota të Trumpit në zgjedhjet presidenciale.