Sot, më 21 dhjetor, në orën 16:03, ndodh zyrtarisht solstici i dimrit, i njohur edhe si dita e dimrit. Ky moment astronomik shënon ditën më të shkurtër dhe natën më të gjatë të vitit në hemisferën veriore.
Solstici i dimrit ndodh si pasojë e pjerrësisë së boshtit të Tokës, rreth 23.5 gradë. Gjatë kësaj periudhe, hemisfera veriore është e anuar larg Diellit, duke bërë që rrezet diellore të bien më pjerrët dhe koha e ndriçimit ditor të jetë minimale. Si pasojë, Dielli shfaqet në mesditë në lartësinë më të ulët mbi horizont gjatë gjithë vitit.
Edhe pse sot shënon ditën më të shkurtër, pas orës 16:03 dita nis gradualisht të zgjatet. Fillimisht ndryshimi është i vogël, vetëm disa sekonda ose minuta në ditët në vijim, por ai është i vazhdueshëm dhe shënon një kthesë të rëndësishme në ciklin vjetor të dritës.
Sipas ekspertëve, temperaturat më të ulëta nuk përkojnë menjëherë me solsticin, pasi toka dhe atmosfera reagojnë me vonesë ndaj ndryshimeve të rrezatimit diellor. Për këtë arsye, periudha më e ftohtë e dimrit zakonisht regjistrohet gjatë muajve janar dhe shkurt, edhe pse dita ka filluar të zgjatet.
Solstici i dimrit konsiderohet jo vetëm një datë kalendarike, por edhe një pikë kthese natyrore. Edhe pse dimri sapo ka nisur, nga sot dita fillon rrugëtimin drejt zgjatjes, duke na afruar gradualisht me stinët më të ndritshme të vitit.
























