Prishtinë- Grupi “Asnjë cent më shumë” kanë bërë të ditur se sot (e shtunë) mbahet protesta radhës kundër shtrenjtimit të energjisë. Protesta mbahet nga ora 12:00.

Përmes një konference për medie të premten, u bë e ditur se në rast se nuk ka reflektim, do të masivizohen protestat dhe mund të ketë përshkallëzim të situatës.

Në këtë konferencë, u bë e ditur se janë duke punuar në drejtim të përpilimit të padisë.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka marrë vendim në lidhje me shtrenjtimin e tarifave të reja të energjisë elektrike. Me miratimin e tarifave të reja të energjisë, Bordi i ZRrE-së ka zyrtarizuar rritjen e çmimit të rrymës prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Tarifat e reja pritet të aplikohen nga 1 maji.

ZRrE-ja ka pranuar rreth 400 komente nga qytetarët, si dhe vërejtje nga institucionet- përfshirë Presidencën, Ministrinë e Ekonomisë dhe deputetë të Kuvendit. Po ashtu, ndërmarrjet e licencuara si KOST, KEDS, KESCO dhe Elektroserver, kanë dorëzuar komentet e tyre lidhur me këtë proces.

Ndërkohë, ditë më parë, ZRrE ka mbajtur një takim me përfaqësues të mediave, për të diskutuar lidhur me këtë proces.

Kundër shtrenjtimit të energjisë u mbajtën edhe dy protesta të tjera, ku qytearët që protestuan patën parulla si “Shteti hesht, qytetarët nuk ndalen”, “Tarifa të reja, padrejtësi e re” dhe “KEDS-i t’i kthehet popullit”.

Related Posts