Një tragjedi ka ndodhur sot në Prizren, ku një shtëpi u përfshi nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një fëmije njëvjeçar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, kur fëmija dyshohet se humbi jetën si pasojë e thithjes së tymit. Mjeku i emergjencës konstatoi vdekjen e tij.

Nga i njëjti incident, tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, janë dërguar gjithashtu në repartin e pediatrisë si pasojë e intoksikimit nga tymi.

Sipas spitalit, gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në mënyrë të vazhdueshme nga stafi mjekësor.

“Sot, rreth orës 10:25, me autoambulancën e Urgjencës së qytetit, në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ është sjellë një fëmijë pa shenja jete, nga një shtëpi që ishte kapluar nga flaka. Mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen e fëmijës, i lindur në vitin 2024.

Nga i njëjti rast, në repartin e pediatrisë janë sjellë edhe tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, si pasojë e intoksikimit nga tymi. Gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në repartin e pediatrisë”, thuhet në përgjigjen e spitalit.

Spitali apelon për kujdes dhe ndihmë ndaj familjeve që mund të përballen me pasoja nga zjarret dhe ngjarjet e ngjashme.

Ndryshe policia ka njoftuar se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.

Related Posts