Serbia është goditur nga një stuhi e fuqishme, për të cilën shërbimi meteorologjik dhe hidrologjik kishte paralajmëruar më herët. Qytetarët e Beogradit janë përballur me kushte ekstreme të motit, ndërsa autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim të ri emergjence për zonat e prekura.
Sipas raportimeve, vranësira të forta konvektive kanë përfshirë zonat e Baçkës dhe Sremit, duke sjellë reshje të dendura shiu, bubullima, breshër dhe erëra të fuqishme. Këto masa ajrore pritet të zhvendosen në drejtim të Banatit qendror dhe verior përmes një rryme jugperëndimore.
Pamjet amatore të publikuara nga qytetarët tregojnë skena kaotike në rrugët dhe vendpunishtet e kryeqytetit serb, ku materialet ndërtimore janë parë duke fluturuar për shkak të erërave të forta. Në disa lagje janë raportuar shkulje të pemëve, duke shtuar rrezikun për dëme materiale dhe rrezik për kalimtarët.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat ku moti i keq është më i theksuar.
Situata e rënduar meteorologjike nuk ka përfshirë vetëm Serbinë. Reshje të fuqishme shiu dhe stuhi të ngjashme janë regjistruar edhe në Kroaci, ku disa qytete janë përmbytur si pasojë e prurjeve të mëdha dhe erërave të forta.
Meteorologët paralajmërojnë se kjo valë e motit të keq mund të zgjasë edhe në orët në vijim, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të qëndrojnë të sigurt.