Anija që transportonte ndihma humanitare dhe aktivistë për Gazën është goditur nga dronët dhe është nxjerrë jashtë funksionit ndërsa ndodhej në ujërat ndërkombëtare pranë Maltës, kanë njoftuar organizatorët e misionit.

“Në orën 00:23 sipas kohës së Maltës, anija Conscience, e cila është pjesë e koalicionit Freedom Flotilla, u sulmua drejtpërdrejt në ujërat ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e grupit.

Ata shtuan gjithashtu se “dronë të armatosur e sulmuan dy herë pjesën e përparme të anijes civile të paarmatosur, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime të mëdha në trupin e anijes”, ndërsa për sulmin akuzuan Izraelin.

Sipas aktivistëve, duket se sulmi ishte i drejtuar ndaj gjeneratorit të anijes në orët e hershme të së premtes, duke e lënë anijen pa energji elektrike dhe në rrezik mbytjeje.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga koalicioni Freedom Flotilla tregojnë një zjarr të madh në anije dhe dy shpërthime. Nuk ka pasur konfirmim apo prova shtesë që shpërthimet janë shkaktuar nga dronët, por fotografitë e anijes Conscience të siguruara nga autoritetet qipriote tregojnë dëme serioze. Qeveria malteze bëri me dije të premten se dymbëdhjetë anëtarët e ekuipazhit dhe katër civilë “janë konfirmuar si të sigurt”.

“Në anije kishte 12 anëtarë ekuipazhi dhe katër pasagjerë; nuk janë raportuar viktima”, thuhet në njoftim, duke shtuar se një rimorkiator i afërt është dërguar për ndihmë.

Grupi bëri të ditur se aktivistë nga 21 vende ndodheshin në anije në një “mision për të sfiduar bllokadën e paligjshme dhe vdekjeprurëse izraelite ndaj Gazës dhe për të dorëzuar ndihmë urgjente, jetike”.

“Ambasadorët izraelitë duhet të mbahen përgjegjës për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, përfshirë bllokadën e vazhdueshme dhe bombardimin e anijes sonë civile në ujërat ndërkombëtare,” thuhet në deklaratë.  

Related Posts