Policia e Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e themelimit me një sërë aktivitetesh të organizuara në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku morën pjesë zyrtarë të lartë dhe nxënës të shkollave fillore

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, uroi përvjetorin dhe theksoi përkushtimin e Policisë për t’u shërbyer qytetarëve, veçanërisht fëmijëve.

Ai shtoi se Policia është një partner i besueshëm për gjeneratat e reja.

“Ku ka më mirë se ditëlindjen ta festojmë me fëmijë, ditëlindjen e institucionit që është për nga mosha i pjekur, i cili këtë pjekuri duhet ta vë në dispozicion të qytetarëve, posaçërisht të fëmijëve tanë. Rruga jonë do të kalojë nëpër sfida, do t’ju hedhë në brigje të ndryshme, disa do të bëheni policë, mësues, mjekë dhe në fusha të ndryshme. Do të keni një partner të besueshëm në këtë rrugë, ajo është Policia e Kosovës, jo vetëm që ka obligim të përgjigjet në çdo moment por e ka dhe për detyrë që atë ta bëjë me dashurinë më të madhe.”, tha Sveçla.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi se Policia mbetet institucioni më i besuar në vend, duke përkujtuar 26 heronjtë e rënë në mbrojtje të sigurisë dhe integritetit të vendit.

Ai inkurajoi të rinjtë që të mësojnë dhe të shohin Policinë si një derë gjithmonë të hapur.

“Ne i kemi dhënë 26 heronj në luftë kundër krimit dhe për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës. Është një institucion i besueshëm i vendit tonë, policët tanë i kanë shërbyer vendit për gjatë 26 viteve. Ne vazhdojmë të punojmë që këtë përkushtim ta çojmë edhe më tutje, të vazhdojmë dhe të avancohemi edhe më tutje në aspektin profesional. Porosia për fëmijët: vazhdoni të mësoni, dyert e Policisë do të jenë të hapura.”, tha Hoxha.

Related Posts