Në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, përpjekjet për të ndikuar kudo nga partitë politike janë shtuar në nivelet më të larta të mundshme.
Një gjë të tillë, sigurisht që po e bën edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e së cilët janë parë dje në takim me drejtuesit e kompanisë së distribuimit të energjisë elektrike – KEDS.
Portali informativ Rilindja Shqiptare, ka dërguar një kërkesë zyrtare për të marrë një qëndrim nga struktura menaxheriale e KEDS-it për këtë çështje. Sipas informacionit të siguruar, ditën e djeshme është realizuar një takim fushate që duket se ka mbështetur partinë në pushtet.
Një pjesë e stafit menaxherial me pozita udhëheqëse dhe ekzekutive në kuadër të KEDS-it kanë marrë pjesë në tubimin elektoral të VV-së. Një veprim i tillë nuk është i drejtë për një kompani monopoliste si KEDS-i, e cila ofron shërbime esenciale për qytetarët.
Në këtë takim kanë marrë pjesë: Milazim Avdiu, pjesë e strukturës menaxheriale të lartë; Fadil Begu, drejtor i Distriktit Mitrovicë; Emin Emini, drejtor i Distriktit Gjilan; Kreshnik Sokoli, drejtor i Distriktit Gjakovë; Astrit Bujupaj, drejtor i Distriktit Pejë; Rrezart Dragusha, drejtor i Distriktit Ferizaj; dhe Artan Kazazi, drejtor i Distriktit Prishtinë.
Në kërkesën e dërguar, Rilindja Shqiptare ka kërkuar një koment zyrtar nga menaxhmenti i KEDS-it në lidhje me natyrën e këtij takimi dhe mundësinë që ai të shihet si një veprim mbështetës ndaj një partie politike. Po ashtu, është kërkuar një qëndrim mbi mundësinë që ky takim të konsiderohet si një lëvdatë për qeverinë, duke marrë parasysh rritjen e çmimit të energjisë gjatë mandatit të fundit të administratës.
Megjithatë, deri tani, KEDS-i nuk ka ofruar asnjë përgjigje zyrtare në lidhje me kërkesën e bërë nga Rilindja Shqiptare. Portali do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet dhe do të informojë publikun me çdo reagim të mundshëm nga ana e kompanisë.
Rilindja Shqiptare mbetet e angazhuar për të ofruar informacion të balancuar dhe të drejtë për çdo zhvillim të rëndësishëm që ka ndikim mbi qytetarët dhe shërbimet publike.
Krejt në fund, ju të nderuar lexues si e shihni këtë pjesëmarrje në këto tubime elektorale, ku zyrtarët e një kompanie private, por esenciale për qytetarët e vendit, janë pjesë e një fushate të caktuar politike? Poashtu, a mund të ketë lidhje kjo mbështetje nga strukturat menaxheriale me ndryshimet e çmimeve disa muaj më parë (kthimi i borxhit)? A mendoni se ka pasur ndonjë koordinim mes strukturave menaxheriale të KEDS-it, strukturës së partisë në pushtet dhe ZRrE-së? /Rilindja Shqiptare/