Telekomi i Kosovës ka  bërë të ditur të premten se Gjykata Komerciale ka miratuar ankesën e ndërmarrjes lidhur me çështjet e procedurës përmbarimore në rastin e “Dardafon.net – Z-Mobile”.

Sipas një komunikate për media, Gjykata ka urdhëruar kthimin e shumës prej rreth 4.4 milionë eurosh, që sipas Telekomit ishte tërhequr jashtëligjshëm nga llogaritë e ndërmarrjes dhe i ishte bartur përmbaruesit privat e më pas “Dardafonit”.

Në njoftim theksohet se Gjykata ka konstatuar se përllogaritja e kamatëvonesave është bërë nga një subjekt i tretë, jo i autorizuar ligjërisht, i angazhuar nga vetë përmbaruesi, e jo siç kërkon Ligji për Procedurë Përmbarimore.

Si rrjedhojë, kjo përllogaritje është shpallur e pavlefshme dhe juridikisht e papranueshme.

Telekomi ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore ndaj përmbaruesit.

Related Posts