Mbi 132 milionë euro kthim në investime ka realizuar Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës nga janari deri në shtator të këtij viti, edhe përkundër që u tërhoq 10% i kursimeve nga qytetarët.
Kjo shifër po konsiderohet rekorde nga ish-kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Safet Gërxhaliu.
Ai ka thënë se rritja e kredive është një storie suksesi sa i përket Trustit.
Tutje, Gërxhaliu theksoi se më e rrugës është që Qeveria të ndajë fonde dhe ndihma për qytetarët tërheqja e parave të Trustit do të krijohet një standard që çdo herë do të tentohet të politizohet
“Nëse një institucion e ka kuptuar pandeminë si një mundësi atëherë është sektori bankar dhe BQK. Vërtetë ka pasur një rritje të kredive dhe në këtë drejtim një storie e suksesit është edhe performancë e Trustit. Vetë fakti që në kohën pandemike është arritur një ujdi që të hiqen 200 milionë për atë pjesë nga Trusti si ndihmë për qytetarët për 1-0% dhe një shumë e tillë është kompensuar e dëshmon më së miri sesa është i rëndësishëm ky hap dhe kjo performacë e Trustit” tha ai për EO.
“Edhe në të kaluarën ka pasur skeptikë sa i përket 10% të Trustit për qytetarë të Kosovës. Është një vendim në nivelin qeveritar dhe mes bordit menaxhues të Trustit. Po kam ndrojë që është një rrezik. Besoj që shumë më e rrugës është që Qeveria të ndajë fonde dhe ndihma për qytetarët sesa të rrezikohet siguria e qytetarëve sepse të vetëm garanci e kemi Trustin. Prandaj kam ndrojë se nëse do të ndodhë edhe njëherë tërheqja e parave të Trustit do të krijohet një standard që çdo herë do të tentohet të politizohet. Qeveria duhet të ketë parashikim sociale dhe buxhetore dhe të jetë në funksion të ndihmës së qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë”, tha Gërxhaliu.
Ndërsa, eksperti i ekonomisë Bardh Ahmeti tha se është koha që Trusti të kthej një pjesë të investimeve të tyre në vend pasi sfida kryesore që përballet sektori privat është qasja në financa.
Ahmeti shtoi se Qeveria duhet ta luajë një rol garantues në mënyrë që sektori privat të gjejë fonde, pasi sfida kryesor është mungesa e parasë.
“Gjatë viteve të fundit ka pasur luhatje nga kthimi i investimeve. Në tre mujor ka pasur performancë negative dhe kjo ka shkaktuar një lloj të stresit tek kontribut paguesit. Megjithatë kthimi i investimeve ka qenë pozitiv ndër vite. Është shumë i rëndësishëm që ky trend të ndiqet dhe Trusti të bëjë diversifikimin e investimeve në tregjet ndërkombëtare që e ka aktualisht në mënyrë që të neutralizoj rreziqet gjithashtu të thith më shumë kthim të interesit në bazë të investimeve. Është koha që Trusti të kthej një pjesë të investimeve të tyre në vend pasi sfida kryesore që përballet sektori privat është qasja në financa”.
“Domethënë ka mungesë të parasë në vend por për tu arritur kjo është e rëndësishme që të bëhen disa ndryshime dhe plotësime ligjore pasi që hapësira ligjore ia kufizon trustit investimin në vend. E njëjta duhet të vlejë edhe te depozitat bankare duhet të kemi ulje të interesit për qytetarët edhe për bizneset. Trusti përmes ndryshimeve ligjore duhet të që të financojë sektorin privat meqenëse projekte të mëdha investive kërkojnë investim qoftë nga donatorët dhe institucionet ndërkombëtare. Sigurisht që edhe qeveria duhet ta luajë një rol garantues në mënyrë që sektori privat të gjejë fonde pasi që ndër sfidat kryesore është mungesa e parasë dhe e qasjes në financa. Ndikimi i trustit do të ishte i jashtëzakonshëm nëse do të rritej oferta e parasë në vendin tonë”, tha Ahmeti.
Pavarësisht tërheqjes së mjeteve nga kontribut-dhënësit në nivel prej 10 për qind asetet e sektorit pensional shënuan rritje vjetore prej 7.5 për qind në qershor 2021 dhe arritën vlerën prej 2.16 miliardë euro. Rreth 72.3 për qind e mjeteve të Trustit janë të mbajtura jashtë vendit.