Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6 ka goditur rajonin e Balikesirit në Turqi mbrëmjen e së hënës, duke shkaktuar panik dhe frikë në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, përfshirë Stambollin dhe Izmirin.
Sipas të dhënave nga Agjencia Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD) dhe Qendra Euro-Mesdhetare Sizmologjike (EMSC), tërmeti është regjistruar rreth orës 22:49 me orën lokale, me një thellësi prej 6 kilometrash.
Lëkundjet janë ndjerë në Stamboll, Izmir, Manisa dhe Tekirdağ. Banorët raportojnë për një lëkundje të zgjatura që i ka detyruar të dalin me nxitim nga banesat për t’u strehuar në vende të hapura.
Autoritetet turke janë në terren për të vlerësuar dëmet, ndërsa deri më tani nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha materiale.
Turqia ndodhet mbi disa nga vijat më aktive të tërmeteve në botë, përfshirë edhe atë të Anadollit të Veriut, e cila kalon pranë rajonit të Marmaras, aty ku ndodhet edhe Stambolli.
Në muajin gusht, një tjetër tërmet me magnitudë të ngjashme kishte goditur zonën e Sındırgı, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe dëmtime të disa ndërtesave.



























