Të paktën pesë persona, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur dhe rreth 100 të tjerë u plagosën kur një tërmet me magnitudë 5.7 goditi Bangladeshin të premten, tha qeveria, me ndërtesa të dëmtuara në shumë zona, përfshirë kryeqytetin me popullsi të dendur, Daka.
Dridhjet u ndjenë në shtetet lindore në Indinë fqinje që kufizohen me Bangladeshin, por nuk pati raportime të menjëhershme për dëme të mëdha atje, thanë autoritetet.
Muhammad Yunus, kreu i qeverisë së përkohshme të Bangladeshit, tha se të lënduarit përfshinin studentë nga universiteti i Dakës, punëtorë fabrike në qytetin Gazipur dhe banorë të Narsingdi, epiqendra e tërmetit.
Deklarata e tij nuk dha detaje se si vdiqën pesë persona. Policia tha më parë se tre persona kishin vdekur kur kangjellat e një ndërtese gjashtëkatëshe u shembën gjatë tërmetit.
Disa nga të plagosurit e dërguar në spital nga Narsingdi, rreth 40 kilometra në lindje të Dakës, ishin në gjendje kritike, u tha gazetarëve këshilltarja e shëndetësisë, Nurjahan Begum.
Qeveria po e monitoron nga afër situatën dhe u ka dhënë udhëzime departamenteve që të intensifikojnë operacionet e shpëtimit në zonat e prekura, tha zyra e Yunusit në një deklaratë, shkruan Reuters.
























