Ish-presidenti Hashim Thaçi, e ka quajtur mundësi të humbur për Kosovën e të pa shfrytëzuar kohën e administratës së presidentit Joe Biden, ndërsa rikthimin e Presidentit Trump e sheh si mundësi të artë për vendin dhe rajonin e Ballkanit.
Thaçi gjatë intervistës për Rubikon në Klan Kosova, tha se është shqetësuese, që vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit.
“Njohja e parafundit Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell. Presidenti Trump e njeh Kosovën, në takimet gjatë mandatit të parë presidencial më ka thënë “Kosova është një vend i mrekullueshëm me popull të shkëlqyer”. Edhe mesazhi i fundit drejtuar popullit të Kosovës me 17 shkurt të këtij viti nga Trump ishte shumë inkurajues”, tha Thaçi.
Tutje, ai u shpreh se disa prej zyrtarëve të lartë aktualë në Uashington janë të involvuar për kohë të gjatë me çështjen e Kosovës, dhe sipas tij, ata nuk veprojnë pa i vënë dikush në lëvizje.
“Në këtë drejtim do të ishte me interes të ndodhte një koordinim mes Prishtinës dhe Tiranës. Shqipëria po tregohet më efektive”, tha Thaçi.