Një incident tragjik ka ndodhur sot rreth orës 12:45 në qytetin e Prizrenit, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë kryerjes së punimeve në një objekt ndërtimi.

Viktima, N.XH., mashkull rreth 40 vjeç nga Drenasi, ka rënë nga lartësia ndërsa po punonte në kulmin e ndërtesës. Ai ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku, përkundër përpjekjeve të mjekëve, është konfirmuar i vdekur.

Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe duke intervistuar dëshmitarët e pranishëm.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti është cilësuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Me urdhër të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë mbikëqyrësi i punimeve dhe investitori i projektit, të cilët janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.

Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet kanë premtuar se do të hetojnë në mënyrë të plotë shkaqet dhe përgjegjësitë që çuan në këtë ngjarje tragjike.

Related Posts