Rrotullimi i Tokës po përshpejtohet dhe pasojat janë të matshme: disa ditë janë më të shkurtra se 86,400 sekondat që zakonisht i atribuojmë një dite të plotë.
Sipas një raporti të publikuar nga Timeanddate.com dhe të dhënave nga Shërbimi Ndërkombëtar për Sistemet e Rrotullimit dhe Referencës së Tokës (IERS), dita më e shkurtër e vitit 2025 pritet të jetë më 5 gusht – rreth 1.51 milisekonda më e shkurtër se mesatarja.
Këto ndryshime nuk janë të reja. Gjatë epokës së dinosaurëve, një ditë kishte vetëm 23 orë, ndërsa në Epokën e Bronzit ajo ishte 0.47 sekonda më e shkurtër se sot. Shkencëtarët parashikojnë që pas 200 milionë vjetësh, një ditë në Tokë do të zgjasë 25 orë.
Faktorët që ndikojnë në këto ndryshime përfshijnë forcat baticore të Hënës, aktivitetet sizmike, vullkanet dhe ndryshimet në bërthamën e Tokës. Megjithëse trendi afatgjatë është ngadalësimi i rrotullimit të planetit, që nga viti 2020 është vërejtur një përshpejtim i tij.
Ekspertët madje parashikojnë që në vitin 2029 mund të kemi për herë të parë nevojën për të hequr një sekondë nga koha zyrtare – një “sekondë e braktisur”, në vend të asaj që zakonisht shtohet për të sinkronizuar orët atomike me rrotullimin e Tokës.