Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në rrugën Ferizaj–Prishtinë, ku një punëtor ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi në vendin e punës.

Siç mëson Klankosova.tv, viktima është Gazmend Ahmeti, i lindur në vitin 1982 nga fshati Mihaliq i Vushtrrisë.

Ai ishte duke punuar në një objekt ndërtimi kur, për arsye ende të paqarta, ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Lajmin për Klankosova.tv e konfirmoi edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

“Sot rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Ferizaj–Prishtinë, një person ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar. Viktima, mashkull 43-vjeçar, nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje,” ka deklaruar Ahmeti.

Ajo shtoi se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.

Related Posts