Dy skiatorë humbën jetën dhe një tjetër u plagos të dielën kur një ortek goditi anën italiane të Alpeve, në Mont Blanc, pranë kufijve me Francën dhe Zvicrën.
Sipas Shërbimit Italian të Shpëtimit Malor, të paktën tre skiatorë u rrëmbyen nga orteku që ndodhi këtë mëngjes në Couloir Vessès, një rrugë e njohur për skijim në Courmayeur, në rajonin Val Venis.
Sipas mediave të huaja, një nga skiatorët u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra. Operacioni i kërkim-shpëtimit përfshinte 15 shpëtimtarë, tre ekipe qensh të trajnuar posaçërisht dhe dy helikopterë.
Courmayeur, me një popullsi prej rreth 2,900 banorësh, ndodhet rreth 200 kilometra në veriperëndim të Milanos dhe është një nga vendet për Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina.
Në të njëjtën ditë, një person tjetër u rrëmbye nga një ortek në rajonin e Trentinos, por u shpëtua nga shoqëruesit e tij.
Shërbimi Italian i Shpëtimit Malor raportoi javën e kaluar se 13 skiatorë dhe alpinistë jashtë pistës kanë vdekur në malet italiane gjatë javës së kaluar, 10 prej tyre në ortekë të shkaktuar nga shtresa jashtëzakonisht e paqëndrueshme e dëborës.
Reshjet e fundit të dëborës dhe erërat e forta kanë krijuar kushte veçanërisht të rrezikshme në të gjithë harkun alpin që shtrihet në kufijtë e Italisë, Francës, Zvicrës dhe Austrisë, paralajmëroi shërbimi italian i shpëtimit.























