Talenti brazilian, Endrick, vazhdon turin e tij në Madrid, ku do të transferohet në verë, për të filluar një etapë shumë të rëndësishme të karrierës së tij, teksa pasi mbërriti në kryeqytetin spanjoll javën e kaluar, braziliani ishte i pranishëm të dielën në “Santiago Bernabeu”, për të shijuar nga afër fitoren e thellë (4-1) të “Los Blancos” ndaj Villarreal.
Ai ishte në tribunë bashkë me të dashurën dhe vëllanë e vogël, duke imituar festimin e Bellingham dhe të hënën u takua me presidentin Florentino Perez, i cili e mori për të vizituar ambientet e klubit dhe mbi të gjitha për të parë palmaresin e trofeve.
Lojtari i “gjigantëve” të futbollit brazilian, Palmeiras, i cili pas gjashtë muajsh do të veshë fanellën e bardhë, ka pozuar me presidentin, të cilit i ka bërë edhe një dhuratë, fanellën e Brazilit me numër 21, atë që veshi më 17 nëntor, kundër Kolumbisë, në ndeshjen e tij debutuese me kombëtaren në moshën 17 vjeç, 3 muaj e 27 ditë.
“Ishte ëndrra ime që kur isha i vogël dhe, falë Zotit, jam këtu me familjen time. Mendoj se do të shkruajmë një histori të mrekullueshme pas gjashtë muajsh”,- u shpreh talenti brazilian për kanalet zyrtare të “Los Blancos”.