Trepça ka shënuar një fitore bindëse ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 103:75, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, në kuadër të javës së 26-të të ProCredit Superligës.
Skuadra mitrovicase dominoi lojën pas një periudhe të parë të ngushtë (20:21), duke marrë kontrollin me perioda të fuqishme (30:18, 24:20, 29:16) dhe siguruar një fitore të rëndësishme në luftën për kreun e tabelës.
Te vendasit, Michael Green u dallua me 17 pikë, gjashtë kërcime dhe katër asistime, ndërsa Mikaile Tmušić kontribuoi me 15 pikë, katër kërcime dhe gjashtë asistime. Nga ana tjetër, për Proton Cable Prizrenin, më i miri ishte Tervell Beck me 16 pikë dhe gjashtë kërcime.
Pas kësaj ndeshjeje, Trepça numëron 17 fitore dhe nëntë humbje, ndërsa Proton Cable mbetet me pesë fitore dhe 21 humbje.