Kandidati republikan për president i SHBA-së, Donald Trump, ka folur para mbështetësve të tij në Palm Beach, Florida, derisa atij i duhen edhe tri vota elektorale për t’u zgjedhur president.
Ai ka dalë para turmës bashkë me stafin dhe kandidatin republikan për zëvendëspresident.
Ai e ka përshkruar si “fitore politike” dhe ka falënderuar mbështetësit që e kanë zgjedhur si presidentin e 47.
“Ne do ta ndihmojmë vendin tonë të shërohet. Do të luftoj për familjen tuaja, për të ardhmen, çdo ditë do luftoj me çdo frymë timen”, ka thënë ai, duke shtuar se partia e tij ka bërë historinë.
Trump ka thënë më tej se kjo do të jetë “epoka e artë” për Amerikën.
“Kjo është një fitore madhështore për amerikanët, që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën madhështore sërish. Dua të falënderoj popullin amerikan për nderin e jashtëzakonshëm që u zgjodh presidenti juaj i 47-të. Unë do të luftoj për ty, për familjen dhe të ardhmen tënde çdo ditë. Do të luftoj për ty me çdo frymëmarrje në trupin tim. Unë nuk do të pushoj derisa të kemi çliruar Amerikën e fortë, të sigurt dhe të begatë që fëmijët tanë meritojnë dhe që ju meritoni. Kjo do të jetë vërtet epoka e artë e Amerikës”, u tha ai mbështetësve të tij në Florida.
Ish-presidenti Donald Trump festoi fitimin e republikanëve në kontrollin e Senatit ndërsa fliste në një fjalim para mbështetësve të mërkurën herët në mëngjes.
“Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm. Ne kemi rimarrë kontrollin e Senatit – uau, kjo është mirë. Dhe garat e Senatit në Montana, Nevada, Teksas, Ohio, Michigan, Wisconsin, Komonuelthi i madh i Pensilvanisë u fituan të gjitha nga lëvizja MAGA që ndihmuan aq shumë. Numri i fitoreve në Senat ishte absolutisht i pabesueshëm,” shtoi ai.
Gjithashtu Trump shtoi se kjo është një fitore e demokracisë dhe se me ardhjen e tij në pushtet do të ndalen edhe luftërat.
“Ne nuk kemi pasur luftëra, përveç se kemi mundur ISIS. Unë nuk do të filloj asnjë luftë, por do t’i jap fund. Ne duam paqe dhe stabilitet dhe prandaj do ta mbyllim sërish kapitulli i konfliktit”, tha Trump.