Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj Elon Musk, pas lajmit se miliarderi planifikon të krijojë një parti të re politike me emrin “America Party”. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump ka kritikuar idenë, duke e quajtur “qesharake” dhe ka theksuar se Partia Republikane është tashmë shumë e suksesshme për të pasur nevojë për alternativa të reja.
“Është për të ardhur keq të shohësh Elon Musk të humbasë rrugën dhe të shndërrohet në një katastrofë gjatë pesë javëve të fundit. Do të nisë edhe një parti të tretë politike – edhe pse këto kurrë nuk kanë funksionuar në SHBA. Sistemi nuk është ndërtuar për këtë. Gjithçka që bëjnë partitë e treta është të shkaktojnë kaos dhe destabilitet, dhe këtë e kemi mjaftueshëm me demokratët radikalë të majtë,” shkroi Trump.
Më tej, presidenti theksoi një prej arritjeve më të fundit të republikanëve – miratimin e një ligji të ri që, sipas tij, shfuqizon “urdhrin absurd” për makinat elektrike (EV Mandate), i cili do të detyronte qytetarët të blinin automjete elektrike në një periudhë të shkurtër kohore.