Donald Trump ka deklaruar se çmimet e naftës mund të qëndrojnë të larta për sa kohë vijojnë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se kjo situatë është “e dëmshme për ekonomitë tona”.
Sipas Trumpit, sapo të marrë fund kriza në Iran, çmimet e naftës pritet të bien, madje – siç u shpreh ai – edhe më poshtë se nivelet e mëparshme.
“Nëse kemi çmime pak më të larta të naftës për një kohë të shkurtër, por sapo kjo të përfundojë, ato çmime do të bien, besoj, madje më poshtë se më parë”, ka deklaruar presidenti Trump.
Ndërkohë, Merz ka theksuar sërish se pret që përplasjet në Iran të përfundojnë sa më shpejt, duke nënvizuar ndikimin negativ që rritja e çmimeve të energjisë ka mbi ekonominë.
“Kjo, sigurisht, po i dëmton ekonomitë tona. Kjo është e vërtetë për çmimet e naftës, dhe kjo është e vërtetë edhe për çmimet e gazit. Kjo është arsyeja pse ne të gjithë shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur” ka deklaruar kancelari gjerman Merz.
Në tregjet ndërkombëtare, çmimet e naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme, teksa Irani vijon sulmet në Lindjen e Mesme si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit.
Nafta Brent u rrit me 10 për qind, duke kapërcyer 82 dollarë për fuçi të hënën, pasi të paktën tre anije u goditën pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës. Edhe çmimet e gazit natyror pësuan rritje, duke shkuar deri në 25 për qind.






















