Shtëpia e Bardhë po përgatit takimin e parë të liderëve të “Bordit të Paqes” të presidentit Donald Trump më 19 shkurt në Uashington, ka raportuar media “Axios”. Takimi, që pritet të shërbejë edhe si konferencë për mbledhje fondesh për rindërtimin e Gazës, është ende në fazat e hershme dhe mund të ndryshojë.
Mbledhja planifikohet të zhvillohet në Institutin Amerikan të Paqes, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë një ditë më herët, më 18 shkurt. Administrata amerikane nuk ka komentuar, raporton Reuters.
Trump e lansoi Bordin e Paqes në fund të janarit, duke e paraqitur si mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve globale, gjë që ka ngritur shqetësime se mund të minojë rolin e OKB-së. Disa aleatë të ShBA-së në Lindjen e Mesme janë bashkuar, por shumë shtete perëndimore kanë hezituar.
Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar në nëntor autorizoi krijimin e një force stabilizimi në Gazë, ku nga tetori është në fuqi një armëpushim i brishtë. Ekspertë të të drejtave të njeriut kanë kritikuar Bordin për mungesë përfaqësimi palestinez dhe për ngjashmëri me struktura koloniale.






















