Investimet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) po përjetojnë periudhën më të keqe këtë vit.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia e investimeve të këtij institucioni përgjatë periudhës janar-korrik 2022 ka arritur në 161.7 milionë euro.
Kjo bëhet e ditur në një raport mbi sistemin financiar të Kosovës të botuar më 31 gusht 2022, ku bëhet e ditur se rënia e vlerës së aksioneve të Trustit përgjatë periudhës janar-korrik 2022 është shumë më e lartë se kontributet e reja të grumbulluara në këtë periudhë.
“Kontributet e reja të grumbulluara gjatë periudhës janar-korrik 2022 arrijnë në 116.2 milionë euro, përderisa kthimi negativ në investime është 161.2 milionë euro”, bëhet e ditur mes tjerash në raport.
Vlera e përgjithshme e aseteve të FKPK-së deri në korrik të këtij viti ka arritur në rreth 2.28 miliardë euro, përderisa vlera e çmimit të aksionit në korrik ka qenë 1.66 €.