U tha se ishte vetëaksident, policia arreston shoferin e një kamioni për aksidentin ku vdiqën dy vajza, një tjetër në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 10:00 në aksin rrugor Domoroc – Hodonoc, në komunën e Ranillugut.

Fillimisht u raportua si vetaksident, por hetimet kanë zbuluar se aksidenti është shkaktuar nga një manovër e pasigurt e një kamioni.

QKUK.

Sipas informatave zyrtare, drejtuesja e një automjeti Golf VII, me targa vendore dhe e lindur në vitin 2002, ka humbur kontrollin mbi mjetin si pasojë e një kthimi të pasigurt të një kamioni. Automjeti është rrokullisur jashtë rrugës, duke shkaktuar humbjen e jetës së saj dhe plagosjen e dy pasagjereve.

Dy pasagjeret e aksidentit u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Fatkeqësisht, njëra prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe u konfirmua e vdekur nga mjeku kujdestar. Pasagjerja e tretë është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

“Hetimet e zhvilluara nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, përmes shqyrtimit të vendit të ngjarjes, analizës së kamerave të sigurisë dhe mbledhjes së provave, kanë zbuluar se aksidenti është shkaktuar nga një kamion me targa vendore, i drejtuar nga një shtetas kosovar i lindur në vitin 1970.”

Sipas policisë, shoferi i kamionit dyshohet se ka bërë një kthim të pasigurt, duke penguar lëvizjen e Golf VII, e cila ishte në tejkalim. Për të shmangur goditjen me kamionin, drejtuesja e automjetit ka humbur kontrollin dhe është rrokullisur jashtë rrugës, me pasoja tragjike.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Policia dhe Prokuroria e Shtetit po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik, i cili ka tronditur banorët e zonës dhe opinionin publik”, kanë deklaruar nga policia.

Related Posts