Ukraina i ka bërë kërkesë Turqisë që të mbyllë ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për anijet luftarake ruse, pas sulmeve të ndërmarra në Kive nga ushtira.
Kërkesën e bëri të ditur ambasadori i Kievit në Ankara, teksa shtoi se kërkohet vendosja urgjente e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Ne bëjmë thirrje që hapësira ajrore, ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve të mbyllen. Kërkesën tonë përkatëse ia kemi përcjellë palës turke. Në të njëjtën kohë, ne duam vendosjen e sanksioneve ndaj palës ruse”, tha ambasadori Vasyl Bodnar në një konferencë shtypi, në kryeqytetin turk.
Kërkesa e vë në një pozicion të vështirë, anëtarin e NATO-s, Turqinë, e cila ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka marrëdhënie të mira me të dyja vendet.
Sipas një pakti të vitit 1936, Ankaraja ka kontroll mbi ngushticat dhe mund të kufizojë kalimet e anijeve luftarake gjatë kohës së luftës ose nëse kërcënohet.