Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Marrëveshja e Paqes e Minskut “nuk ekziston më”, raporton Reuters.
Duke iu drejtuar gazetarëve në një konferencë të dytë shtypi në Moskë këtë pasdite, Putin tha se “vendimi më i mirë që mund ta merrte Ukraina do të ishte heqja dorë nga ambiciet e anëtarësimit në NATO”.
Ai thotë se Rusia do të sigurojë ndihmë ushtarake për rebelët në rajonet lindore të Ukrainës.
“Nëse ka një konflikt sigurisht, nëse është e nevojshme, ne do të ndjekim detyrimet që kemi marrë”, tha Putin.
“Ne po llogarisim në zgjidhjen e të gjitha këtyre dallimeve. Këto dallime do të zgjidhen midis rajoneve Kiev, Luhansk dhe Donetsk”, shtoi ai.
Në shkurtin e vitit 2015, liderët e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës u takuan në kryeqytetin bjellorus me objektivin e rikthimit të paqes në territoret e kontrolluara prej një viti nga separatistët pro rusë, në rajonin e Donbas.
Ai takim gjeneroi një etapë tjetër, e quajtur Minsk II, ku u nënshkrua një dokument i rëndësishëm që parashikonte disa pika. Dokumenti u firmos nga Rusia, Ukraina, liderët separatistë dhe OSCE, e “bekuar” edhe nga vetë Kombet e Bashkuara me një rezolutë.