Ushtarët italianë në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, të martën, ka kryer patrullime përgjatë kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Patrullime të tilla, sipas KFOR-it, janë pjesë e misionit të përditshëm, i cili është i fokusuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”.
Ditë më parë edhe pilotët amerikanë në kuadër të KFOR-it, kanë realizuar një zbarkim ajror për trupat amerikane të këmbësorisë në mbështetje të një patrullimi në Veri të Kosovës, gjegjësit përgjatë kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Trajnime të tilla, sipas KFOR-it janë jetike për ruajtjen e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë mes njësive, si dhe për të mbajtur efektshmërinë e nevojshme në veprimet e KFOR-it për një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.