Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka cilësuar si “përtej marrëzisë” faktin që Edona Lalloshi e LVV-së, ia përshtati një këngë shefit të partisë, Albin Kurti në një tubim me mërgimtarë në Zvicër.
Çitaku tha se kjo është edhe “e rrezikshme” për mentalitetin që tha se e promovon.
Çfarë pamë nga tubimi i LVV-së në Zvicër ishte një nivel tjetër i marrëzisë. E di që është e vështirë të kontrollosh çdo veprim të mbështetësve. Ata mund të të shkruajnë këngë, të bëjnë tatuazhe, madje edhe të ngrenë shtatore. Edhe kjo është e dëmshme për shëndetin demokratik, por deri diku e kuptueshme, sepse nuk kontrollohet lehtë”, shkroi ajo.
“Por kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë. Kjo është e rrezikshme. Jo për shkak të kualitetit të këngës, ai s’ka asnjë rëndësi, por për shkak të mentalitetit që promovon”, shtoi Çitaku.























