Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ju shpreh ngushëllime familjes Sadriu, me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar, Ali Sadriu:

“E nderuara familja Sadriu,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të babait e familjarit tuaj Ali Sadriu, veprimtarit të shquar institucional, deputetit shumëmandatësh, ish-ministrit dhe njërit prej personaliteteve të rëndësishme të jetës politike të Kosovës.

Humbja e tij është e rëndë jo vetëm për familjen tuaj, por për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për shtetin e Kosovës në tërësi. Ali Sadriu ishte një njeri i urtë i politikës, shembull i përkushtimit institucional, i maturisë në vendimmarrje dhe i përgjegjësisë publike. Ai i shërbeu vendit me dije, ndershmëri dhe përkushtim të rrallë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës.

Si deputet, ministër, drejtues institucional dhe kryetar i Degës së LDK-së në Shtime, Ali Sadriu mishëroi vlerat themelore të LDK-së: moderimin, dialogun, përgjegjësinë shtetërore dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Ai ishte një politikan i respektuar, një profesionist i palëkundur dhe një familjar shembullor, që fitoi besimin dhe vlerësimin e gjerë të shoqërisë sonë.

Vepra, kontributi dhe integriteti i tij do të mbeten pjesë e pandashme e trashëgimisë politike dhe institucionale të Republikës së Kosovës dhe frymëzim për brezat që vijnë.

Në këto çaste dhimbjeje, në emrin tim personal dhe në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadriu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me Ali Sadriun.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për veprën dhe jetën e veprimtarit, Ali Sadriu!”

Related Posts