Nëntëmbëdhjetë punëtorë kanë vdekur në vendin e punës gjatë vitit të kaluar, 11 prej të cilëve në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa gjatë tetë vjetëve të fundit kanë humbur jetën mbi 160 persona.
Ky sektor vlerësohet si më i rrezikshmi për sigurinë e punëtorëve.
Për shkak të mosrespektimit të Ligjit dhe masave mbrojtëse, Inspektorati i Punës ka shqiptuar mbi 1,700 gjoba. Me dhjetëra punëtorë, vit pas viti, humbin jetën në vendet e tyre të punës në Kosovë. Në vitin 2025 u evidentuan 19 raste me fatalitet, 11 prej të cilave në sektorin e ndërtimtarisë.
Me gjithë përpjekjet për përmirësimin e kushteve, sektori i ndërtimtarisë dhe fusha të tjera të industrisë vazhdojnë të jenë ndër më të rrezikshmet për sigurinë dhe jetën e punëtorëve. Ushtruesi i detyrës i drejtorit ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Vesel Zhinipotoku, tha për RTK-në se gjatë inspektimeve është konstatuar mungesë e masave të sigurisë dhe e obligimeve të tjera në vendpunishte ndërtimore. Subjektet që nuk kanë zbatuar ligjin janë gjobitur.
Inspektorati Qendror i Punës, bazuar në planin e punës, realizon në vazhdimësi inspektime duke u mbështetur në vlerësimin e rrezikshmërisë, me prioritet sektorin e ndërtimtarisë si sektor me rrezikshmëri të lartë. Gjatë vitit 2025 janë shqiptuar 1,747 masa ndëshkimore ndaj subjekteve që kanë shkelur dispozitat e legjislacionit që mbikëqyret nga IQP-ja.
Sipas Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe atyre të sektorit privat, për tetë vjet mbi 160 persona kanë humbur jetën në vendin e punës. Nga kjo sindikatë shprehen shqetësime për kushtet në të cilat punojnë shumë punëtorë. Për shkak të natyrës së punës, të rrezikuar mbeten edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. Ndërkohë, pronarë të kompanive ndërtuese kanë deklaruar se kushtet e punës janë përmirësuar, bashkë me to edhe pagat.






















