Një adoleshent që kishte mbetur i lënduar nga zjarri vdekjeprurës në një bar në një resort skijimi në Zvicër, natën e Vitit të Ri, ka vdekur të shtunën në spital, duke e çuar numrin e viktimave në 41, ka njoftuar prokuroria lokale.
“Një shtetas zviceran 18-vjeçar vdiq në një spital në Cyrih më 31 janar”, ka thënë tha prokurorja e kantonit Wallis, Beatrice Pilloud, në një deklaratë.
Zjarri në barin Le Constellation në Crans-Montana, një vend i njohur për të rinjtë në këtë qytet, ka lënë gjithashtu 116 persona të lënduar.
Shumica e viktimave ishin të rinj, tetë prej tyre nën 16 vjeç, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të trajtohen në spital për djegie të rënda.
Zyra Federale Zvicerane për Mbrojtje Civile i ka thënë agjencisë AFP se, që nga e hëna, 44 pacientë po trajtohen jashtë vendit, përfshirë 18 në Francë, 12 në Itali, tetë në Gjermani dhe gjashtë në Belgjikë.
Ministria e Shëndetësisë e Wallisit ka bërë të ditur se 37 pacientë vazhdojnë të jenë në spitale zvicerane.
Gjetjet e para të hetimit sugjerojnë se zjarri nisi nga fishekzjarrët e lidhur me një shampanjë, të cilët ndezën shkumën izoluese që mbulonte tavanin e bodrumit të barit.
Autoritetet kanë konfirmuar se loklali nuk kishte kaluar kontrolle sigurie për pesë vjet.
Pronarët e barit, Jacques dhe Jessica Moretti, akuzohen nga autoritetet për vrasje nga pakujdesia, dëmtime trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Procedime penale janë ngritur gjithashtu kundër shefit të sigurisë publike të komunës dhe një inspektori të mëparshëm të sigurisë së zjarrit në këshill.
























