Ka ndërruar jetë ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri.
I lindur në Ferizaj, Sylejman Shaqiri filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi. Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.
Në vitin 1988, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb.
Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio Tiranë.
Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj, për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.
Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës. Fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtare të RTK-së.
Në vitin 2010, arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.
Familja e të ndjerit, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha”, në Ferizaj orën 14:00, në teatrin “Adriana”, organizojnë mbledhje komemorative në kujtim të jetës dhe veprës së tij.