Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gollubovc të Malishevës, ku dy vëllezër dyshohet se janë vrarë me armë zjarri nga dhëndri i familjes.
Viktimat janë identifikuar si Naim Morina, 45 vjeç, dhe Driton Morina, 32 vjeç.
Sipas burimeve i dyshuari për krimin është Astrit Isufi, nga një fshat i komunës së Drenasit, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

Si ndodhi ngjarja?
Krimi ndodhi rreth orës 11:30 të paradites së sotme, kur i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pameve për babanë e tyre të ndjerë.
Pas disa minutash, sipas burimeve të redaksisë dyshohet se ai është rikthyer dhe ka hapur zjarr, duke i lënë të vdekur dy vëllezërit, njëri në vendin e ngjarjes, derisa tjetri nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve sa ishte rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.
Në momentin kritik, siç thanë burimet, gruaja e të dyshuarit (motra e viktimave) dhe vajza e tyre kanë qenë në veturë, duke parë gjithë ngjarjen.
Mësohet se viktimat, dy vëllezërit Morina i kishin kërkuar motrës së tyre të ndahej nga bashkëshorti, në këtë rast nga i dyshuari Astrit Isufi.
Policia dhe Prokuroria i përvishen punës
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për Klankosova.tv se rasti është regjistruar si vrasje e dyfishtë.
“Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, ka deklaruar Elezaj.
Sipas informacioneve, në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri, ndërsa policia ka kryer bastisje në një autosallon me emrin ‘Astriti’, në rrugën Komoran–Carralevë, që dyshohet se i përket të arratisurit.
I dyshuari, emër i njohur për policinë
Klankosova po ashtu siguroi informacione sipas të cilave Astrit Isufi është një emër i njohur për organet e rendit. Ai më herët ishte dyshuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë, ndërsa Isufi kishte qëndruar për disa muaj në paraburgim. Ende nuk dihet saktësisht kur i është ndërprerë masa e sigurisë.
Hetimet vazhdojnë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se të gjitha njësitë e nevojshme të policisë ndodhen në terren dhe po mblidhen provat e para në vendin e ngjarjes.
“Në koordinim me prokurorin kujdestar, policia po ndërmerr veprimet e duhura për sigurimin e provave dhe lokalizimin e të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj tragjedie familjare që ka lënë të tronditur banorët e Malishevës.
Vërejtje:
Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
























