Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar pas vendimit për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar, vendim të cilin e ka përkrahur.

Megjithatë, SBASHK ka vlerësuar se kjo masë nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Në njoftimin e saj, sindikata ka kërkuar urgjentisht inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat, duke theksuar nevojën për “vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore, sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit; transparencë dhe përgjegjësi institucionale”.

Në fund të reagimit, SBASHK ka lëshuar edhe një paralajmërim sindikal, duke theksuar se nuk do të pranojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi.

“SBASHK nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj. Siguria nuk negociohet”, thuhet më tej në reagim.

Related Posts