Një qytetare nga Elbasani rrëfen për emisionin Fiks Fare se nuk mund të qëndroj dot në asnjë vend pune sepse e pushojnë. Arsyeja sipas saj është ish kunati i saj i cili vazhdimisht e përndjek dhe këtë e bën për arsye xhelozie.
Por ajo që e shqetëson më shumë zonjën nga ish kunati i saj janë veprimet e turpshme poshtë ballkonit të shtëpisë së saj dhe për këtë ka fakte filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së banesës.
Qytetarja tregon se kunati pavarësisht se ka precedent të mëparshëm penal është pjesë e policisë bashkiake. Ai ka qenë i dënuar më parë për veprën penale ” Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, por kjo nuk e ka penguar për të gjetur punë si polic bashkiak. Zonja kërkon nga Fiksi drejtësi sepse i është drejtuar disa herë bashkisë me këtë ankesë, por nuk ka marrë kurrë përgjigje.
Gazetarët e emisionit Fiks Fare pas ankesës të marrë nga qytetarja i drejtohen Inspektoriatit të Ndërtimit dhe Urbanistikës në Elbasan prej të cilit është në varësi policia bashkiake.
Kryeinspektori Leli Kraja duke falenderuar emisionin investigativ Fiks Fare për rrëferimin e këtij rasti thotë se polici në fjalë do të marrë menjëherë pezullimin nga puna dhe do qëndrojë i pezulluar deri në mbledhjen e plotë të dokumentacionit. Gjithashtu kryeinspektori Kraja shprehet se nuk ka dijeni për dënimin që ka marrë polici bashkiak nga gjykata si dhe për ankesat e qytetares drejtuar në bashki për këtë efektiv të policisë. Kryeinspektori u premton gazetarëve të emisionit Fiks Fare se menjëherë do veprohet për rastin e referuar të policit bashkiak.