Futbollisti i West Ham United, Adama Traore, është ndaluar të ngrejë pesha me vendim të trajnerit Nuno Espirito Santo, pas publikimit të një videoje nga qendra stërvitore e klubit.
Shoku i skuadrës, Crysencio Summerville, postoi në rrjetet sociale një video ku Traore shihej duke ngritur 145 kilogramë në palestër. Megjithatë, kjo nuk i ka pëlqyer trajnerit portugez.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Ligës Premier kundër Fulhamit, Nuno e vlerësoi fizikun e anësorit si “të pabesueshëm”, por theksoi se lojtari tashmë ka masë muskulore të mjaftueshme.
“Fiziku i tij është i mahnitshëm, është çështje gjenetike. Por ai tashmë ka mjaftueshëm muskuj dhe duhet ta shmangë palestrën për ngritje peshash,” tha Nuno.
Ai shtoi se Traoré do të vazhdojë të kryejë ushtrime parandaluese dhe programe fizike specifike, por nuk do të merret më me ngritje të rënda.
“I kam thënë të qëndrojë larg peshave. Ai ka peshë të mjaftueshme për të mbajtur. Për shembull, 21-vjeçari ynë Airidas Golambeckis kalon shumë kohë në palestër sepse ai ka nevojë për muskuj. Me Traorén është e kundërta,” shpjegoi trajneri.
Traore iu bashkua West Hamit në afatin e janarit nga Fulhami për rreth 2.3 milionë euro. Deri tani këtë sezon, ai ka zhvilluar 19 ndeshje në Ligën Premier dhe gjashtë të tjera në kupa, duke regjistruar vetëm një asist.























